Sureja El-En'am (Bagëtitë — الأنعام) (Ajet 53)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




6 El-En'am(الأنعام), Ajet 53

وَكَذَٰلِكَ فَتَنَّا بَعْضَهُمْ بِبَعْضٍ لِيَقُولُوا أَهَٰؤُلَاءِ مَنَّ اللَّهُ عَلَيْهِمْ مِنْ بَيْنِنَا ۗ أَلَيْسَ اللَّهُ بِأَعْلَمَ بِالشَّاكِرِينَ 53 ٥٣

Dhe kështu Na i provojmë njërin me tjetrin, për të thënë: “A mos janë këta që Perëndia ua dhuroi mirësinë? – A mos vallë Perëndia nuk i njeh më mirë ata të cilët i janë mirënjohës. (53)

Tefsiri

Kështu i sprovojmë Ne disa me disa të tjerë... -

Kështu i sprovon Allahu i Madhëruar njerëzit. Disa i bën të pasur dhe disa të varfër, disave u ka dhënë fis të gjerë e famë, e disa të tjerë i ka bërë të dobët e pa mbështetje njerëzore. Por nëse Allahu i Lartësuar i dhuron mirësinë e imanit njerëzve “të dobët” apo “të parëndësishëm”, siç i quajnë, kjo bëhet sprovë për të pasurit e fisnikët, apo siç i quajnë: “të rëndësishmit”. Nëse i pasuri vërtet synon të vërtetën dhe rrugën e drejtë, që kënaq Zotin, ai e pranon imanin dhe bëhet musliman, pa e penguar aspak prania e të varfërve, përzierja me ta në kuvende dhe fakti që edhe ata kanë pranuar Islamin. Por nëse ai nuk është i sinqertë në kërkimin e të vërtetës, marrëdhënia me të varfërit dhe përzierja me ta do të bëhet një pengesë që do ta pengojë nga pasimi i të vërtetës. Ata të mjerë, duke përçmuar besimtarët e varfër, thanë:

...derisa të thonë: “Vallë, këta janë ata që përzgjodhi Allahu mes nesh dhe u dhuroi mirësi?” -

Kjo arrogancë dhe mbivlerësim i vetes i pengoi ata nga pranimi i të vërtetës. Ata nuk e meritonin udhëzimin, sepse nuk ishin të pastër për t’u nderuar me të. Në përgjigje të qëndrimit të tyre mospranues, i Madhëruari thotë:

Po a nuk është Allahu më i Dituri, për ata që janë mirënjohës?! -

Mirënjohës janë ata cilët i njohin, i vlerësojnë dhe i respektojnë mirësitë e Zotit, ata që dëshmojnë se ato vijnë prej Bujarit dhe kryejnë ato vepra që i meritojnë ato mirësi, në shenjë mirënjohje për Dhuruesin e tyre. Këtyre mirënjohësve Zoti u dhuron imanin e shumë mirësi të tjera. Ndërsa ata që nuk tregojnë mirënjohje, le ta dinë se Allahu i Madhëruar është i Urtë dhe, me Urtësinë e Tij, nuk e vendos mirësinë e Tij atje ku nuk duhet dhe nuk ia jep atij që nuk e meriton. Kështu ishin edhe ata të mjerë që thanë ato fjalë, të cilat tregonin mosvlerësim të urtësisë së Zotit në shpërndarjen e mirësisë së imanit. Ata ishin mosmirënjohës e arrogantë, ndryshe nga ata besimtarë të varfër e jo të varfër, të cilët i shprehnin mirënjohjen Zotit duke iu dorëzuar plotësisht Atij, me bindje e dashuri. Allahu i Madhëruar jo vetëm që e ndaloi Profetin (a.s)që t’i largonte besimtarët e përkushtuar, por e urdhëroi që t’i priste ata me respekt e nderim, duke thënë:

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë