Tefsiri
Beduinët janë më të zhyturit në mohim e hipokrizi dhe janë më të prirurit për të mos i njohur dispozitat që Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. -Beduinë quhen banorët e shkretëtirës dhe të zonave të largëta, larg qyteteve ose përqendrimeve të mëdha të njerëzve. Kjo kategori karakterizohet nga një mosbesim më i madh dhe më i theksuar në fe, për shkaqe të shumta. Për shembull, ata janë më larg diturisë dhe mundësive për ta arritur atë. Dituria rreth besimit, ligjeve dhe dispozitave të fesë, rreth veprave e cilësive të larta të besimit janë më të huaja për ta. I Lartësuari thotë se ata janë më të prirur që të mos i njohin kufijtë dhe ligjet që Ai i shpalli Profetit të Tij. Përmes Shpalljes, Allahu i Lartësuar i zbriti Profetit parimet e besimit, por edhe ligje fetare për shoqërinë. Por njerëzit larg qytetërimit dhe diturisë nuk janë në kontakt me këto njohuri, ndryshe nga njerëzit e qyteteve dhe vendbanimeve të gjera. Njerëzit që janë në kontakt më të ngushtë me diturinë e shpallur nga Zoti janë më pranë njohjes së kufijve të Tij. Kjo dituri u mundëson dy gjëra:
1 Një koncept më të drejtë për realitetin dhe të mirën.
2 Kultivim të motiveve të mira dhe të dobishme. Këto mirësi nuk mund t'i kenë ata që janë larg diturisë. Nga ana tjetër, qytetarët karakterizohen nga një karakter i butë, natyrë e qetë dhe lehtësisht e përshtatshme. Ata janë të arsyeshëm dhe binden lehtë kur u afrohet e mira, ndryshe nga banorët e shkretëtirave dhe larg qyteteve, të cilët janë të ngurtë, të ashpër, të vrazhdë, të pabindur dhe nuk pranojnë këshillën e mirë. Në fakt, kudo ka qafirë dhe munafikë, por ata i gjen më tepër larg qytetit. Gjithashtu, beduinët janë më të dhënë pas pasurisë, si edhe koprracë, kur është fjala për të shpenzuar atje ku urdhëron Zoti.