Nëse zgjidhni të ndëshkoni
(sipas ligjit), atëherë bëjeni po në atë masë sa jeni dëmtuar ju! -
Nëse i ndëshkoni ata që ju kanë dëmtuar me fjalë ose me vepra, bëjeni këtë, por vetëm në atë masë sa jeni dëmtuar ju, aspak më tepër.E nëse duroni
(dhe falni), pa dyshim që kjo është më e mira për durimtarët. -
Nëse përmbaheni dhe e falni tjetrin për padrejtësitë që të ka bërë, kjo është më e mirë sesa marrja e hakut tërësisht, duke kërkuar barazinë. Sigurisht, shpërblimi që gjendet tek Zoti është shumë më i mirë dhe është përfundim më i lumtur, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Ndëshkimi i së keqes (lejohet të) bëhet me një të keqe në të njëjtën masë. Megjithatë, kush fal e përmirëson, shpërblimin e ka tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët.” [Shura 40]. Në vijim, Allahu i Madhëruar urdhëron Profetin e Tij që të bëjë durim dhe të jetë këmbëngulës e i vazhdueshëm në thirrjen e krijesave për në fenë e Tij, duke iu mbështetetur vetëm Allahut në këtë mision. Profeti porositet që kurrë të mos mbështetet tek vetja, por vetëm tek Zoti.