…përveç atyre që janë të padrejtë. -
Pra, këta njerëz nuk mund të përfitojnë nga faktet dhe provat e sjella, sepse ata nuk e duan sqarimin e të vërtetës. Për të tillët nuk ia vlen të shqetësohesh dhe as të kesh frikë, siç thotë i Lartësuari:Por, ju mos u frikësoni prej atyre, por frikësohuni vetëm prej Meje! -
Arsyeja është se “argumentet” e tyre janë boshe dhe të destinuara të hidhen poshtë. Si të tillë, ata nuk ngjallin respekt në zemrat e atyre që i dëgjojnë. Ndërsa ai që flet të vërtetën, fiton autoritet e respekt te çdokush që e sheh dhe e dëgjon. Ky urdhër i Allahut të Lartësuar është një begati e madhe prej Tij, sepse çdo mirësi e ka zanafillën te frikë-respekti ndaj Allahut. Ai që nuk i frikësohet shikimit të Allahut, nuk mund të frenohet nga poshtërsitë prej asgjëje tjetër. Asgjë tjetër nuk mund ta bëjë atë që t'i bindet urdhrave të Zotit të Tij. Kthimi i muslimanëve drejt Qabes ngjalli polemika të shumta, të cilat u nxitën nga ithtarët e Librit, munafikët dhe idhujtarët. Ata i nxisnin bisedat rreth kësaj teme, duke hedhur herë pas here dyshimet dhe helmet e tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e shtjelloi gjerësisht këtë çështje në Librin e Tij. Ai e përforcoi gjykimin e Tij me disa elementë, të cilët u përmendën më lart, por dhe me disa të tjerë, që do tregohen më poshtë. Një element i tillë përforcues është, për shembull, përsëritja e kësaj dispozite tri herë, edhe pse një herë do të ishte e mjaftueshme. Po ashtu, zakonisht, urdhrat e Allahut të Lartësuar ose i drejtohen Profetit (a.s.), dhe nëpërmjet tij nënkuptohet i tërë umeti, ose i drejtohen umetit në përgjithësi. Në këtë rast, Allahu i Lartësuar i përdor të dyja mënyrat, si mjet përforcues, edhe pse do të mjaftonte vetëm njëra. Kështu, Ai i drejtohet fillimisht Profetit (a.s.): “Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë!” Pastaj i drejtohet edhe umetit në përgjithësi: “Kudo që të gjendeni, kthejini fytyrat tuaja drejt saj”. Allahu i Lartësuar u ktheu përgjigje të gjitha dyshimeve të hedhura nga mohuesit, duke i sqaruar ato një për një, dhe kjo tregon për rëndësinë e madhe të kësaj çështjeje. Ai preu çdo shpresë të mohuesve se Muhamedi (a.s.) do të ndiqte Kiblën e ithtarëve të Librit, dhe ky është, gjithashtu, element përforcues. Përforcues tjetër gjendet edhe te thënia: “Me të vërtetë, kjo është e vërteta e sigurt nga Zoti yt.” Do të mjaftonte lajmi i madh i Allahut të Lartësuar për ndryshimin e Kiblës, që kjo dispozitë të zbatohej menjëherë dhe pa ngurrim. E, megjithatë, Allahu i Lartësuar i thotë këto fjalë, për të siguruar njerëzit se kjo qe një e vërtetë prej Atij. Element tjetër përforcues është edhe një informacion i sjellë prej Atij, që është Njohësi i të fshehtave. Allahu i Lartësuar lajmëroi se Kibla e Profetit të fundit të botës ishte pikërisht ajo për të cilën Ai i urdhëroi besimtarët, por mohuesit e fshehën dhe e mohuan padrejtësishit një gjë të tillë. Kjo dispozitë ishte shprehje e dashurisë dhe e mëshirës së Allahut të Lartësuar për këtë umet. Ai e deklaron një fakt të tillë, kur tregon qëllimin e saj:…që Unë ta përsos mirësinë Time ndaj jush… -
Mirësitë e Allahut ndaj këtij umeti do të vazhdojnë të ndjekin njëra tjetrën, përjetësisht. Në themel të tyre qëndron udhëzimi për të pranuar fenë e Tij të drejtë, të cilën e sqaroi nëpërmjet Profetit të Tij të fundit dhe Librit që i shpalli atij. Ky është burimi i çdo mirësie të këtij umeti të ekuilibruar, të cilat janë plotësuese të mirësisë kryesore, të shumta në numër dhe mjaft të larmishme. Për mirësinë e Tij ndaj profetit Muhamed dhe umetit të tij, Allahu i Lartësuar thotë: Sot (ditën e Arafatit), u dëshpëruan ata që mohuan (Allahun dhe Profetin)dhe e humbën çdo shpresë, që t'ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por vetëm Mua mu frikësoni! Sot e përsosa për ju fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe u kënaqa që Islami të jetë feja juaj. [Maide 3]. I lavdëruar qoftë Allahu, për mirësitë dhe begatitë e panumërta që na ka dhuruar, të cilat ne nuk mundemi as t'i numërojmë, e jo më ta falënderojmë aq sa Ai e meriton.…dhe që ju të gjeni rrugën e drejtë. -
Kjo na tregon një tjetër arsye të ligjërimit të këtyre dispozitave. Pra, Allahu i Lartësuar i caktoi këto rregulla, me qëllim që ne të udhëzohemi në rrugën e drejtë. Udhëzimi arrihet veçse duke njohur të vërtetën e sjellë prej Zotit dhe duke e zbatuar atë. Allahu i Lartësuar, me mëshirën e Tij të pamatë, ua ka lehtësuar njerëzve rrugën e udhëzimit dhe gjithmonë i nxit ata për ta ndjekur atë. Ai ua ka qartësuar të vërtetën plotësisht, në mënyrën më të plotë. Madje, për ta ndriçuar sa më mirë të vërtetën, Allahu i Lartësuar ka përcaktuar që të padrejtët të shfaqin dyshime, të cilat Ai ua shpjegon më pas adhuruesve të Tij. Nga debatet e kundërshtimet, Allahu ka përforcuar shenjat e Profetit të Tij dhe e ka nxjerrë në pah fytyrën reale të gënjeshtrës. Nëse pasuesit e të kotës nuk do të polemizonin, ndoshta çështjet do të mbeteshin të panjohura në hollësitë e tyre për shumë njerëz. Allahu i Urtë dhe i Ditur e nxjerr të vërtetën në pah me urtësinë dhe dijen e Tij. Çështjet qartësohen më mirë kur ballafaqohen me të kundërtat e tyre. Po të mos ishte nata, nuk do të kuptohej plotësisht dobia e ditës. Po të mos ekzistonte e shëmtuara, nuk do të konceptohej e bukura. Po të mos ishte errësira, si do të njihej drita? Nëse nuk do të shfaqej e kota, edhe e vërteta nuk do të zbulohej plotësisht. Allahu qoftë i lavdëruar për këto mirësi!