Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi. -
Këtu bëhet fjalë për të gjitha llojet e të mirave, qofshin ato që bëhen me zemër, qofshin ato me gjymtyrë. Këtu bëhet fjalë edhe për çdonjë që bën vepra të mira, qoftë njeri apo xhin, i vogël apo i madh, mashkull apo femër. Por Allahu i Lartësuar ka përmendur një kusht për pranimin e këtyre punëve: ai është besimi. Pra, asnjë vepër nuk konsiderohet e mirë, nuk pranohet, nuk ka shpërblim dhe nuk të largon nga ndëshkimi nëse nuk nxitet dhe nuk buron nga besimi. Punët pa besim janë si degët e një peme, së cilës i është prerë trungu, apo si një ndërtesë pa themele. Imani është themeli, trungu, baza mbi të cilën ndërtohet çdo gjë. Me fjalë të tjera, çdo vepër e mirë, për të cilën është përmendur shpërblim në Kur’ân, ka si kusht imanin, edhe nëse mund të mos jetë thënë shprehimisht në çdo rast. Allahu i Lartësuar thotë: “...do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi”. Ata që kanë besimin dhe veprat e mira do të hyjnë në Xhenet, ku do të kënaqen me gjithçka që ua dëshiron shpirti. Atyre nuk do t’u bëhet asnjë lloj padrejtësie, as e madhe e as e vogël, nuk do t’u mohohet asnjë punë e mirë që kanë kryer, sado e vogël qoftë ajo. Përkundrazi, shpërblimi do të jetë i shumëfishuar nga bujaria dhe mëshira e Allahut të Lartësuar.