Sureja Er-Ra'd (Bubullima — الرعد) (Ajet 22)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




13 Er-Ra'd(الرعد), Ajet 22

وَالَّذِينَ صَبَرُوا ابْتِغَاءَ وَجْهِ رَبِّهِمْ وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَأَنْفَقُوا مِمَّا رَزَقْنَاهُمْ سِرًّا وَعَلَانِيَةً وَيَدْرَءُونَ بِالْحَسَنَةِ السَّيِّئَةَ أُولَٰئِكَ لَهُمْ عُقْبَى الدَّارِ 22 ٢٢

dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, dhe që falin namazin, dhe nga ajo që ua kemi dhënë Ne – ndajnë (japin) fshehurazi dhe haptazi, dhe kthejnë të keqen me të mirë – për ta ka përfundim të mirë, (22)

Tefsiri

Ata që ngulmojnë me durim për të arritur dashurinë e Zotit të tyre dhe falin me rregull namazin;... -

Ata bëjnë durim në përmbushjen e urdhëresave të Zotit, bëjnë durim duke frenuar veten nga haramet, bëjnë durim ndaj caktimit të Zotit, duke e pritur atë me zemër të hapur dhe jo me zemërim apo rebelim kundër Zotit. Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar jep një detaj shumë të rëndësishëm, duke treguar se çfarë i motivon këta të përzgjedhur për të patur këtë durim: "…për të arritur dashurinë e Zotit të tyre." Ky është një kusht i domosdoshëm, që durimi, me të gjitha llojet e tij, të jetë i shpërblyeshëm nga Allahu i Lartësuar. Motivi që e shtyn njeriun për të qenë i duruar duhet të jetë i pastër dhe jo i përzier me qëllime të këqija dhe të pavlera. Durim i dobishëm është ai që njeriu e bën për të arritur kënaqësinë e Zotit të Tij, duke shpresuar afrimin tek Ai dhe marrjen e shpërblimit të Tij. Ky lloj durimi është veçori e besimtarëve të sinqertë. Ndërsa ai lloj durimi, nëpërmjet të cilit njeriu kërkon të tregojë forcën, qëndrueshmërinë dhe këmbënguljen e tij, duke kërkuar lëvdata dhe duke ushqyer mendjemadhësinë e tij, ky durim mund të arrihet nga kushdo dhe nuk është aspakt i lëvduar dhe i shpërblyeshëm. Një përshkrim tjetër i atyre që janë të mençur dhe të urtë dhe që do të meritojnë shpërblimin e Zotit vjen më poshtë, në ajetin kuranor: "…dhe e falin me rregull namazin." Së pari, Allahu i Lartësuar i përshkruan ata si njerëz që e falin rregullisht dhe me saktësi namazin, duke plotësuar shtyllat, kushtet, elementët e detyrueshëm dhe të pëlqyeshëm të namazit, qoftë në aspektin e jashtëm, qoftë në atë të brendshëm gjatë kryerjes së tij. Së dyti, i përshkuan ata duke thënë:

ata që japin haptazi dhe fshehtazi nga ajo që u kemi dhënë Ne dhe të keqen e kthejnë me të mirë... -

Këtu bëhet fjalë për shpenzimet e detyrueshme, siç është zekati ose edhe kompensimet e ndryshme për shkak të betimit, zotimit etj. Gjithashtu, bëhet edhe fjalë për shpenzimet e pëlqyeshme. Kështu, këta të zgjedhur shpenzojnë sa herë që nevojitet, dhe këtë e bëjnë haptazi dhe fshehtazi, si të jetë më e mira dhe si ta kërkojë urtësia. Ata, gjithashtu: "…të keqen e kthejnë me të mirë." Nëse dikush i keqtrajton ata me fjalë apo me vepra, ata nuk ia kthejnë me të njëjtën monedhë, por ia kthejnë me bamirësi, duke synuar rregullimin dhe përmirësimin. Nëse dikush i privon, ata i japin dhe shpenzojnë pa kufi për të, nëse dikush i bën padrejtësi, ata e falin dhe ia kthejnë me mirësi, nëse dikush i ndërpret marrëdhëniet me ta, ata përpiqen që t’i lidhin dhe ruajnë marrëdhëniet me të, kur dikush i dëmton ata me fjalë ose vepra, ata përpiqen me fjalë dhe me vepra ta rregullojnë dhe përmirësojnë atë. Mendohu pak! Nëse kjo është sjellja e tyre ndaj atyre që iu bëjnë padrejtësi, atëherë si mund të jetë sjellja e tyre me ata që sillen mirë? Sigurisht që morali i tyre është i pashembullt dhe këto janë cilësi që mund t’i kenë vetëm ata që Zoti i ka zgjedhur. Për të gjithë ata që kanë të tilla cilësi, Allahu i Lartësuar ka përgatitur atë që quhet Ukbeddar- Vendbanimi i Përjetshëm.

...këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e përjetshme,... -

Pastaj, Allahu i Lartësuar e shtjellon më shumë këtë vendbanim të përjetshëm të tyre, duke thënë:

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë