Sureja Er-Ra'd (Bubullima — الرعد) (Ajet 43)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




13 Er-Ra'd(الرعد), Ajet 43

وَيَقُولُ الَّذِينَ كَفَرُوا لَسْتَ مُرْسَلًا ۚ قُلْ كَفَىٰ بِاللَّهِ شَهِيدًا بَيْنِي وَبَيْنَكُمْ وَمَنْ عِنْدَهُ عِلْمُ الْكِتَابِ 43 ٤٣

Mohuesit thonë: “Ti nuk je pejgamber!” Thuaj (o Muhammed!): “Mjafton Perëndia për dëshmitar në mes meje dhe jush, dhe Ai që e di Librin”. (43)

Tefsiri

Ata që mohojnë thonë: “Ti nuk je i dërguar.” -

Ata të mohojnë ty dhe e konsiderojnë gënjeshtër Shpalljen që t’u dha nga Zoti. Thuaji atyre, nëse kërkojnë ndonjë dëshmues për këtë fakt:

Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmues midis meje dhe jush,...” -

Allahu i Lartësuar ka dëshmuar për këtë të vërtetë me fjalën, veprat dhe me miratimin e Tij. Me fjalën e Tij, Allahu i Lartësuar dëshmoi përmes asaj që ia shpalli më të sinqertit dhe më besnikut të krijesave të Tij. Ai shpalli mesazhe, përmes të cilave tregoi vërtetësinë dhe besnikërinë e Profetit dhe të Shpalljes. Për sa i përket dëshmisë me vepra, Allahu i Lartësuar e mbështeti Profetin dhe kauzën e tij me një ndihmë, e cila ishte jashtë mundësive njerëzore, jashtë forcës së këtij profeti apo të shokëve dhe pasuesve të tij. Kjo ishte një dëshmi me veprat e Allahut të Lartësuar, që tregoi për vërtetësinë e Shpalljes dhe të profetit Muhamed a.s. Ndërsa dëshmia përmes pohimit të Tij kuptohet nga fakti se Profeti na ka njoftuar se ishte Zoti Ai që e dërgoi atë. Ai na tregoi se Allahu i Lartësuar i urdhëroi njerëzit për ta pasuar rrugën e drejtë dhe premtoi kënaqësinë dhe begatinë e Tij për çdo pasues të sinqertë të kësaj rruge. Ndërsa ata që nuk e pasojnë Profetin, Zoti i kërcënon me zjarr në botën tjetër, madje e ka bërë të lejuar për t'u marrë (sipas ligjit) jetën dhe pasurinë e tyre. Për të gjitha këto mesazhe që Profeti solli prej Tij, Allahu i Lartësuar e miratoi atë. Nëse Profeti do të trillonte diçka, Allahu i Lartësuar do ta ndëshkonte menjëherë atë.

... por edhe midis meje dhe atyre që kanë njohuri për Librin! -

Kjo përfshin të gjithë dijetarët e dy librave (Teurat dhe Ungjill). Shumë dijetarë të krishterë apo judej, të cilët e pranuan dhe pasuan të vërtetën, dëshmuan haptas për vërtetësinë e profetit Muhamed a.s.Edhe ata që e fshehën këtë dëshmi, Allahu i Lartësuar na tregon se e dinin dhe ishin të sigurt për këtë fakt. Dëshmia e Zotit se ata e dinin mirë këtë fakt, por heshtnin, është, në fakt, më e fortë edhe sesa pranimi i vetë atyre, sikur ta bënin. Nëse nuk do të dëshmonte Allahu i Madhëruar, ata do ta refuzonin diçka të tillë, por heshtja e tyre tregoi se ata e kishin të shkruar dëshminë për vërtetësinë e Profetit. Allahu i Lartësuar urdhëroi që të argumentojmë me dëshmitë që gjenden tek ithtarët e Librit, sepse dëshmia merret nga ata që kanë njohuri. Në atë kohë, idhujtarët arabë ishin analfabetë e të paditur, prandaj nuk kishte asnjë dobi dëshmia e tyre për vërtetësinë e Profetit dhe të Shpalljes së Zotit. Madje, arabët e asaj kohe, që ishin të paditur, gjithmonë pyesnin ithtarët e Librit për të tilla çështje. Allahu është më i ditur për gjithçka.Këtu përfundon tefsiri i sures Rad.Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!Të tillë ishin Abdullah Ibn Selami,Selman el Farisiu, Temim el Dari etj.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë