Sureja Ali Imran (Familja e Imranit — آل عمران) (Ajet 44)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




3 Ali Imran(آل عمران), Ajet 44

ذَٰلِكَ مِنْ أَنْبَاءِ الْغَيْبِ نُوحِيهِ إِلَيْكَ ۚ وَمَا كُنْتَ لَدَيْهِمْ إِذْ يُلْقُونَ أَقْلَامَهُمْ أَيُّهُمْ يَكْفُلُ مَرْيَمَ وَمَا كُنْتَ لَدَيْهِمْ إِذْ يَخْتَصِمُونَ 44 ٤٤

Këto janë lajme të panjohura (sekrete). Na po t’i shpallim ty (o Muhammed). Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hedhën short, se kush nga ata do të marrë Merjemën në mbrojtje. Dhe ti nuk ishe i pranishëm kur ata grindeshin. (44)

Tefsiri

Këto janë disa nga lajmet e fshehta që po t’i shpallim ty

(o Muhamed). – Kuptimi: Këto janë histori që vijnë vetëm me shpallje nga Zoti i botëve, i Cili di gjithçka, dhe nuk janë fjalë nga mendja e Muhamedit (a.s.) dhe as të huazuara nga të tjerë. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë të vërtetë me fjalët:Ti nuk ishe atje, kur ata hidhnin short se cili prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes. Ti nuk ishe pranë tyre as kur ata grindeshin me njëri-tjetrin. -

Nëna e Merjemes, kur lindi Merjemen, shkoi te kujdestarët që shërbenin në Shtëpinë e Shenjtë, për t’u dhuruar vajzën, që edhe ajo të ishte shërbyese e shtëpisë së Zotit, ashtu sikurse bëri premtimin. Por ata filluan të grindeshin me njëri-tjetrin se cili do të ishte kujdestari i saj. Atëherë, ata vendosën që të hidhnin short se kujt do t’i takonte detyra e kujdestarisë së Merjemes. Ata duhet të hidhnin kalema druri në lumë. Ai njeri, kalemi i të cilit nuk do të ecte me rrjedhën, por do të qëndronte në vend, do të fitonte të drejtën e kujdestarisë së Merjemes, dhe ky qe më i miri i tyre, Zekeria, Profeti i Allahut. Kështu, kuptimi i ajetit është: Duke qenë se ti, o Muhamed, nuk ishe mes tyre dhe as ti e as populli yt nuk keni dije rreth këtyre ngjarjeve të vërteta, që edhe ata (ithtarët e Librit) i pranojnë dhe i dinë imtësisht, atëherë kuptohet lehtësisht se ti je Profet i Zotit, sepse rruga e vetme e informacionit mbetet shpallja e Zotit. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të ditur këto histori të largëta, përveç shpalljes nga Zoti i Gjithëditur. Atëherë, është e detyrueshme për të gjithë ithtarët e Librit që të pranojnë se ti je Profeti i Zotit dhe që të pasojnë udhëzimin e sjellë prej teje. Ti je Profet i vërtetë, i dërguar prej Allahut, Zotit të gjithësisë. Ata janë të detyruar që të të binden për të zbatuar udhëzimet e tua, nëse duan shpëtimin. Allahu i Lartësuar përdor të njëjtën mënyrë argumentimi në disa ajete të tjera, si për shembull, kur thotë: “Dhe ti nuk ishe në anën perëndimore (të vendit, ku Allahu i foli Musait), kur Ne ia besuam Musait shpalljen dhe as nuk ishe dëshmitar në atë ngjarje. Ne krijuam breza të shumtë dhe koha (mes teje dhe Musait) është shumë e largët. Dhe ti nuk ishe banor në mesin e popullit të Medjenit, që të mund t’u tregoje këtyre (saktësisht) Argumentet Tona. Por, jemi Ne që dërgojmë profetë (dhe i njoftojmë për gjithçka). Ti nuk ke qenë as pranë malit Tur, kur Ne i thirrëm (Musait). Por, (ti je dërguar) si mëshirë nga Zoti yt, për t’ia tërhequr vërejtjen një populli tek i cili nuk pati ardhur ndonjë profet para teje, që ata të marrin mësim.” [Kasas 44-46]. Ose: “S’ka dyshim se Ai që ta urdhëroi Kur’anin ty, Ai do të të kthejë ty në Vendin e Premtuar. Thuaj: “Zoti im e di më sëmiri kush është ai që sjell udhëzimin e vërtetë dhe kush është në humbje të sigurt”. Dhe ti nuk ke shpresuar (ndonjëherë) se do të të shpallej Libri (Kur'ani), por kjo është mëshirë e Zotit tënd. Prandaj ti kurrë mos u bëj ndihmëtar i jobesimtarëve.” [Kasas 86]. Ose: "Po kështu Ne të shpallëm ty Libër (jetëdhënës) prej Nesh. Ti nuk dije çfarë ishte Libri dhe as ç’ishte imani, por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën e udhëzojmë në rrugë të drejtë atë që Ne dëshirojmë prej robërve Tanë. Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë. Në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç'ka në qiej dhe ç'ka në Tokë. Ta dini, se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.” [Shura 52-53].

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë