Sureja Ez-Zumer (Grupet — الزمر) (Ajet 32)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




39 Ez-Zumer(الزمر), Ajet 32

فَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّنْ كَذَبَ عَلَى اللَّهِ وَكَذَّبَ بِالصِّدْقِ إِذْ جَاءَهُ ۚ أَلَيْسَ فِي جَهَنَّمَ مَثْوًى لِلْكَافِرِينَ 32 ٣٢

Kush është më i keq se ai që gënjen (trillon) për Perëndinë dhe konsideron gënjeshtër të Vërtetën (Kur’anin), kur i erdhi ajo? A nuk është skëterra vendstrehim për mohuesit? (32)

Tefsiri
Duke na tërhequr vërejtjen e duke na paralajmëruar, Allahu i Madhëruar thotë:

E kush është më i padrejtë

(e keqbërës)

se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut -

Mashtrimi kundër Allahut mund të bëhet me shumë mënyra. Kështu, për shembull, ta përshkruash dhe emërtosh Allahun me një atribut që nuk i shkon madhështisë së Tij, ose të pretendosh profetësinë, ose të trillosh rregulla e ligje nga vetja duke mëtuar se është Allahu që i ka thënë e kumtuar ato, ose të gënjesh duke thënë se Zoti ka dhënë këtë dhe atë gjykim. Kjo i ngjan ajetit: "Thuaj: “Gjërat që ka ndaluar Zoti janë veprat e turpshme, qofshin ato të hapura ose të fshehta, gjynahet, shkelja e kufijve (të Tij)dhe padrejtësitë; t'i bësh shokë Allahut, pa pasur asnjë argument të shpallur dhe të thuash gjëra për Allahun për të cilat s'ke asnjë dijeni.” [A'raf 33]. Nëse robi e bën këtë nga padituria, është e dënueshme dhe e shëmtuar, por nëse e bën me vetëdije, atëherë është shumë e shumë herë më e shëmtuar dhe e dënueshme.

dhe kur i erdhi e vërteta

(Kur'ani)

, e quajti gënjeshtër? -

Nuk ka më të padrejtë sesa ai të cilit i vjen e vërteta e përforcuar me argumente dhe fakte të shumta dhe ai sërish e konsideron gënjeshtër. Vetëm kjo do të ishte një padrejtësi shumë e madhe, sepse ai e refuzon të vërtetën edhe pasi i bëhet e qartë. Duke bashkuar këtë me trillimin e gënjeshtrave për Allahun, padrejtësia bëhet e pashembullt.

A nuk është në Xhehenem vendbanimi i merituar për jobesimtarët? -

Vetëm duke i futur ata në Xhehenem vendoset drejtësia. Atje Zoti do të vërë në vend çdo të drejtë dhe detyrim që kanë shkelur mohuesit dhe zullumqarët. Shirku është padrejtësia më e madhe dhe vetëm në Xhehenem do të vendoset drejtësia e shkelur nga këta keqbërës.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë