Sureja En-Nisa (Gratë — النساء) (Ajet 113)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




4 En-Nisa(النساء), Ajet 113

وَلَوْلَا فَضْلُ اللَّهِ عَلَيْكَ وَرَحْمَتُهُ لَهَمَّتْ طَائِفَةٌ مِنْهُمْ أَنْ يُضِلُّوكَ وَمَا يُضِلُّونَ إِلَّا أَنْفُسَهُمْ ۖ وَمَا يَضُرُّونَكَ مِنْ شَيْءٍ ۚ وَأَنْزَلَ اللَّهُ عَلَيْكَ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَعَلَّمَكَ مَا لَمْ تَكُنْ تَعْلَمُ ۚ وَكَانَ فَضْلُ اللَّهِ عَلَيْكَ عَظِيمًا 113 ١١٣

Sikur mos ta kishe mirësinë e Perëndisë dhe mëshirën e Tij, gjithsesi, do të përpiqej një grup i tyre (mohuesve) që të të nxjerrin ty nga udha e drejtë. Ata me këtë e humbin vetëm vetveten, e ty nuk të bëjnë kurrfarë dëmi. Perëndia, ty ta ka shpallur Librin (Kur’anin) dhe dijeninë e plotë, dhe të mësoi ty atë që nuk e ke ditur. Dhuntia e Perëndisë në ty është shumë e madhe. (113)

Tefsiri

Po të mos ishte Mirësia e Allahut dhe Mëshira e Tij ndaj teje, një grup prej tyre do të kishin tentuar të të devijonin. -

Dijetarët e tefsirit kanë treguar shkakun e shpalljes së këtyre ajeteve. Kështu, dikush kreu një vjedhje në Medinë. Më pas, kur dyshoi se mund të ishte pikasur nga njerëzit, ai, prej frikës nga demaskimi, e hodhi sendin e vjedhur në oborrin e një shtëpie tjetër, që nuk kishte lidhje me vjedhjen. Fisi i hajdutit shkuan te Profeti dhe kërkuan prej tij që të shpallte publikisht pafajësinë e tyre dhe se vjedhësi ishte ai në shtëpinë e të cilit u gjend sendi i vjedhur. Profeti (a.s.) gati e plotësoi kërkesën e tyre, por ajetet nuk vonuan të shpallnin të vërtetën. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar e ruajti Profetin e Tij të mos bëhej mbështetës i padrejtësisë dhe të mos largohej nga e vërteta. Devijimi nga e vërteta është dy llojesh: devijim në dituri, duke mos e njohur të vërtetën, dhe devijim në veprimtari, duke punuar pa patur dije nga Zoti. Allahu i Lartësuar e ruajti Profetin (a.s.) nga të dyja këto lloje të devijimit. Ai na njoftoi se kurthet e tyre goditën dhe dëmtuan vetëm ata, ashtu sikurse ndodh me çdo intrigant e tradhtar. I Lartësuari thotë:

Por ata nuk devijojnë asnjë, veç vetes së tyre, dhe nuk mund të të dëmtojnë ty aspak. -

Nëpërmjet kësaj intrige, ata nuk mundën t’ia arrinin qëllimit të tyre. Përkundrazi, ata dështuan, u turpëruan, u mbushën me gjynahe dhe u privuan nga mirësitë. Ruajtja dhe përkujdesja e Allahut të Lartësuar për Profetin (a.s.) ishte një mrekulli. Ai jo vetëm që i dhuroi dije e urtësi të Dërguarit të Vet (a.s.), por edhe e udhëzoi dhe e ndihmoi që të punonte me atë dije madhështore, duke zbatuar urdhrat e Tij. Për mirësinë e diturisë dhe të urtësisë, i Lartësuari thotë:

Allahu të shpalli ty Librin dhe Urtësinë e të mësoi atë që nuk e dije. -

Ai të shpalli ty Kur’ânin dhe Urtësinë, që sqarojnë çdo gjë dhe ku ndodhen njohuritë e të parëve dhe të fundit. Për kuptimin e fjalës “Urtësi” janë dhënë dy mendime:

1 Ajo nënkupton Sunetin, Traditën e Profetit (a.s.). Disa selefë kanë thënë: “Profetit (a.s.) i shpallej Suneti ashtu sikurse i shpallej Kur’âni.

2 Ajo nënkupton urtësitë dhe zbërthimet e Sheriatit. Pra, është diçka më shumë se thjesht njohja e ligjeve të tij.Urtësi do të thotë t’i vendosësh gjërat në vendin që u takon. Allahu i Lartësuar thotë: ...e të mësoi çka nuk dije”. Gjithashtu, Ai thotë: “Ti nuk e dije se ç’është Libri dhe as imani...”. Ose një ajet tjetër: “...të gjeti të humbur, e të udhëzoi në rrugën e drejtë”. [Duha, 7]. Kështu vazhdoi pandërprerë mirësia e Zotit mbi profetin Muhamed a.s, duke i mësuar atij dituri dhe urtësi, që askush prej të parëve dhe të fundit nuk i kanë arritur e nuk do t’i arrijnë. Ai mbetet krijesa më e ditur, në mënyrë të padiskutueshme, dhe më i kompletuari me cilësitë më të larta. I Lartësuari thotë:

Mirësia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe. -

Mirësitë që Allahu i Lartësuar i fali Muhamedit (a.s)janë më të mëdha se çdo mirësi tjetër që Ai u ka dhënë krijesave. Ato janë vërtet të panumërta.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë