Sureja El-Hashr (Tubimi — الحشر) (Ajet 23)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




59 El-Hashr(الحشر), Ajet 23

هُوَ اللَّهُ الَّذِي لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الْمَلِكُ الْقُدُّوسُ السَّلَامُ الْمُؤْمِنُ الْمُهَيْمِنُ الْعَزِيزُ الْجَبَّارُ الْمُتَكَبِّرُ ۚ سُبْحَانَ اللَّهِ عَمَّا يُشْرِكُونَ 23 ٢٣

Ai është Perëndia, që s’ka zot tjetër përveç Tij, Sundues, i Amshueshëm, Ai është i pastër nga të metat, Paqëdashës, ai që jep siguri, Ai që mbikëqyrë të gjitha, i Plotëfuqishëm, Imponus, Madhështor. Qoftë falenderuar Perëndia, Ai është shumë lart nga ato që ia përshkruajnë Atij! (23)

Tefsiri
Ai është Allahu, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me meritë. Ai është Sunduesi i përgjithshëm, i Pastër nga çdo e metë, Shpëtimtari, Siguruesi, Mbikëqyrësi, Ngadhënjimtari, Mbizotëruesi, Krenari. -

Allahu është i vetmi që meriton adhurimin me dashuri dhe përunjësi të plotë, sepse Ai është El Melik - Sunduesi i përgjithshëm, Pronari i gjithçkaje. Bota e sipërme dhe e poshtme, me banorët e shpërndarë mes tyre, të gjithë pa përjashtim, janë pronë dhe nën pushtetin e Allahut të Lartësuar. Të gjithë janë të varfër, të nënshtruar dhe nevojtarë ndaj Tij. Allahu është El Kuddus i Pastër nga çdo e metë, dhe El Mukadesu - i Pastërti dhe i Lartësuari nga çdo cilësi e ulët. Allahu është Esselam - Shpëtimtari. Ai është El Mu’minu – Siguruesi, Ai që garantoi vërtetësinë e profetëve të Tij dhe saktësinë e Shpalljeve që ata sollën ndër njerëz prej Tij. Ai e vërtetoi vërtetësinë dhe saktësinë e tyre me shenja të qarta, të prera dhe të pakundërshtueshme. Allahu është El Muhejminu – Mbikëqyrësi. Ai është El Azizu - Ngadhënjimtari, Krenari dhe i Pamposhturi. Ai nënshtron gjithçka me krenarinë e Tij dhe askush nuk mund të përballet me Ngadhënjimtarin. Të gjithë qëndrojnë kokulur dhe të frikësuar përpara Allahut. Allahu është El Xhebbar – Mbizotëruesi, sepse pushteti i Tij madhështor ka nënshtruar dhe përfshirë të gjitha krijesat. Askush dhe asgjë nuk mund të dalë jashtë pushtetit të Tij. Ai, gjithashtu, i jep fuqi të pafuqishmit dhe i jep pasuri të varfërit. Allahu është El Mutekebbir - i Madhëruari Krenar. Atij i takon krenaria dhe madhështia. Por me gjithë krenarinë dhe madhështinë e Tij, Allahu është i pastër nga të gjitha mangësitë dhe padrejtësitë, sepse Ai është gjithmonë i drejtë.

I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë! -

Allahu është i Lartësuar dhe i Pastër nga çdo e metë që ia përshkruajnë idhujtarët dhe mohuesit e shpalljeve të Tij.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë