Sureja Et-Teube (Pendimi — التوبة) (Ajet 39)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




9 Et-Teube(التوبة), Ajet 39

إِلَّا تَنْفِرُوا يُعَذِّبْكُمْ عَذَابًا أَلِيمًا وَيَسْتَبْدِلْ قَوْمًا غَيْرَكُمْ وَلَا تَضُرُّوهُ شَيْئًا ۗ وَاللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ 39 ٣٩

Nëse nuk shkoni në luftë, Ai (Perëndia) do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm dhe do t’ju ndërrojë me një popull tjetër, Atij ju nuk do të mund t’i bëni dëm asgjë. Se Perëndia është i Plotëfuqishëm për çdo gjë. (39)

Tefsiri
Nëse nuk dilni, Ai do t'ju ndëshkojë me një dënim të rëndë dhe do t'ju zëvendësojë me një popull tjetër dhe Atij nuk i bëhet aspak dëm. -

Nëse nuk i përgjigjeni kushtrimit, Allahu i Lartësuar ka për t'ju ndëshkuar dhimbshëm në dynja dhe në ahiret. Refuzimi i thirrjes së komandantit për të marrë pjesë në luftë konsiderohet si nga gjynahet më të mëdha, që meriton një nga ndëshkimet më të rënda, sepse edhe dëmi që sjell ky refuzim është shumë i madh. Ai që nuk i përgjigjet kushtrimit të udhëheqësit nuk i bindet urdhrit të Allahut. Ai nuk ndihmon në ruajtjen e fesë dhe ligjit të Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, ai nuk ndihmon as vëllezërit e tij muslimanë kundër armikut të tyre, i cili dëshiron t’i shfarosë ata dhe ta zhdukë fenë e tyre. Ai bëhet shembull për njerëz të dobët me besim të mangët, që edhe ata t’i bëjnë bisht këtij urdhri tepër të rëndësishëm. Madje, ai mund të dobësojë edhe radhët e atyre që luftojnë në rrugën e Allahut të Lartësuar. Kështu, ata që bëjnë të tilla vepra janë të kërcënuar ashpër nga Allahu i Lartësuar: "…ju zëvendëson me një popull tjetër dhe Atij nuk i bëhet aspak dëm." Ata i pret një ndëshkim i dhimbshëm dhe Allahu ka për t’i zëvendësuar me të tjerë, të cilët do të jenë ndryshe nga ata. Kjo nuk e dëmton aspak Allahun e Lartësuar. Allahu i Lartësuar do ta bëjë këtë fe që të triumfojë mbi të gjitha fetë dhe besimet e tjera. Nuk ka asnjë ndikim në pushtetin e Zotit sikur besimtarët t’i zbatojnë urdhëresat e Tij apo edhe nëse ata i hedhin pas shpine ato. Allahu i Lartësuar ka për ta ndihmuar fenë e Tij dhe ka për ta lartësuar fjalën e Tij nëpërmjet robërve të sinqertë, që Ai vetë i përzgjedh. Duhet ta kuptojmë mirë se mosbindja e njerëzve nuk e pakëson aspak pushtetin e Allahut të Lartësuar, ashtu sikurse edhe bindja e tyre nuk i shton asgjë madhështisë së Tij.

Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka. -

Allahut nuk mund t’i shpëtojë askush. Asgjë nuk mund t’i shmanget dëshirës së Allahut, nëse Ai e dëshiron. Asgjë nuk del jashtë gjykimit dhe përcaktimit të Allahut dhe asgjë nuk mund ta mposhtë Atë. Allahu është Mposhtësi dhe Sunduesi i gjithçkaje. Ai është Triumfuesi, Krenari e Ngadhënjimtari mbi gjithçka.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë