Më kujtoni, që edhe Unë t’ju kujtoj. -
Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na urdhëron që ne ta kujtojmë vazhdimisht Atë. Nëse e bëjmë këtë, atëherë Ai na ka premtuar shpërblimin më të madh që mund të ëndërrojë një adhurues: “…që edhe Unë t’ju kujtoj”. Profeti (a.s) përcjell tek ne këto fjalë të Allahut të Lartësuar dhe Bujar, që thotë: “Atë që më kujton Mua në veten e Tij, Unë e kujtoj atë në veten Time. Atë që më kujton Mua në një grup njerëzish, Unë e kujtoj atë në një grupim më të mirë se ai”. Kujtimi më i plotë dhe më i mirë i adhuruesit për Zotin e tij është ai që bëhet me gjuhë dhe zemër bashkë. Ky lloj kujtimi shton në zemër njohjen dhe dashurinë për Allahun e Lartësuar. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e shpërblen atë njeri me mirësi të shumta. Kujtimi i Allahut të Lartësuar është kushti kryesor për t’u treguar mirënjohës ndaj Tij, prandaj Allahu i Lartësuar urdhëron veçanërisht për kujtimin dhe pastaj urdhëron përgjithësisht për mirënjohje ndaj Tij. Në vijim, i Lartësuari thotë:Më falënderoni… -
Kuptimi: Jini mirënjohës për mirësitë që ju kam dhuruar dhe për të këqijat që jua kam larguar! Mirënjohja bëhet me zemër, me fjalë dhe me vepra. Mirënjohja me zemër bëhet duke i pranuar plotësisht dhe me përulje mirësitë e Zotit. Mirënjohja me fjalë bëhet duke e falënderuar dhe duke e lavdëruar Allahun e Lartësuar. Mirënjohja me vepra bëhet duke i kryer ato si bindje ndaj Krijuesit dhe ndaj urdhrave të Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Nëse robi tregon vërtet një mirënjohje të tillë, ai garantohet për dy gjëra:…e mos më mohoni! -
Fjala “kufr” (mohim) është përdorur këtu përballë fjalës “shukr” (mirënjohje). Pra, është fjala për mohimin e mirësive dhe mosmirënjohjen ndaj tyre. Por ka mundësi që fjala “mohim” të jetë sjellë me një kuptim më të gjerë, në të cilin hyn mohimi i Zotit dhe të gjitha llojet e tjera të poshtërsive dhe të mosmirënjohjes. Në këtë vështrim, Allahu i Lartësuar na i ka ndaluar të gjitha llojet e mohimit.