Ne i dhamë Davudit një dhunti të madhe nga ana Jonë: “O male dhe shpendë! Thurni lavde
(për Allahun)së bashku me të
(me Dauudin)!” - Ne i dhamë robit dhe adhuruesit Tonë të dashur Daud (a.s) mirësi të shumta. Ne i dhuruam atij dituri të dobishme dhe vepra të mira. I dhuruam mirësi të shumta si fetare, ashtu edhe të kësaj dynjaje. Ndër mirësitë e shumta ishte që Zoti i urdhëroi malet, kafshët dhe shpendët, që të lavdëronin Atë së bashku me Daudin dhe të përsërisnin tesbihun që ai këndonte me zërin e tij të bukur. Kjo ishte një mirësi, me të cilën Zoti e dalloi Daudin (a.s), sepse nuk ia kishte dhënë askujt, as para dhe as pas tij. Kjo ishte një shenjë e jashtëzakonshme, që i nxiste njerëzit që t'i bënin tesbih Zotit, kur shihnin dhe dëgjonin ato sende, kafshë e gjallesa që përsërisnin tesbihun dhe lavdërimet për Zotin e tyre. Kjo ishte një nxitje shumë e madhe që njerëzit të kujtonin Zotin dhe ta përlëvdonin Atë. Shumë dijetarë thonë se zëri i atyre krijesave ishte si një jehonë e melodi, që shoqëronte zërin e Daudit kur ai këndonte përlëvdimet. Allahu i kishte dhënë Daudit një zë jashtëzakonisht të bukur, që asnjë nuk e kishte pasur. Kur ai këndonte ritmikisht ato lavdërime për Zotin me atë zë të pashembullt, çdo gjë rreth Tij i përgjigjej, njerëz, xhindë, madje edhe zogjtë, edhe malet bënin tesbih së bashku me të. Gjithashtu, prej mirësive të mëdha që Zoti i kishte dhënë Daudit ishte edhe shpërblimi i madh për këto tesbihe. Ai merrte shpërblim edhe për lavdërimet e këtyre krijesave, sepse ishte ai që i nxiste të kryenin këto adhurime. Një tjetër mirësi ishte edhe kjo që Zoti e përmend në këtë ajet: