Sikur popujt e vendeve të kishin besuar
(në Allahun)dhe të ishin të devotshëm, Ne do t’ua kishim hapur të gjitha llojet e begative nga qielli e nga toka... -
Nëse do të besonin sinqerisht me zemër dhe nëse këtë e vërtetonin me vepra, atëherë Allahu i Madhëruar dhe Bujar do t’ua hapte portat e begative të qiejve dhe të tokës. Nga qielli do të binte ujë i bollshëm dhe i begatshëm, ndërsa toka do të mbushej me bimë e fruta, si ushqim i pasur për njerëzit dhe kafshët e tyre. Kështu, ata do të jetonin mes bollëkut, pa provuar lodhje, mundim, frikë e ankth. Por ata nuk i plotësuan këto dy kushte të lumturisë: ata as nuk besuan dhe as nuk u bindën ndaj porosive të Zotit. E cili qe rezultati? I Lartësuari thotë:...por ata mohuan
(të vërtetën). Prandaj Ne i dënuam me shkatërrim, siç e merituan.-
Për shkak të mosbesimit dhe gjynaheve të tyre, ata pësuan fatkeqësi dhe u privuan nga mirësitë e të Madhërishmit. Në fakt, kjo qe vetëm një pjesë e vogël e asaj që ata meritonin. Nëse Allahu do t’i ndëshkonte për të gjitha gjynahet e tyre, nuk do të linte në tokë asnjë gjallesë. Fatkeqësitë vijnë për shkak të gjynaheve të njerëzve, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “E keqja është shfaqur në tokë e në det për shkak të asaj që bënë duart e njerëzve, që ata të shijojnë një pjesë të ndëshkimit që meritojnë dhe me shpresë që të kthejnë rrugë (nga e këqja).” [Rum 41].