...nëse besoni në Allahun dhe në atë që Ne ia kemi shpallur robit Tonë Ditën e Ndasisë
(mes besimit dhe mosbesimit),... -
Dita e Fitores është dita e Betejës së Bedrit, kur Allahu i Lartësuar bëri dallimin e qartë të së vërtetës nga e kota. Atë ditë, e vërteta triumfoi mbi të kotën....ditën kur u ndeshën dy ushtritë. -
Grupi i muslimanëve u përball me grupin e jobesimtarëve. Atë ditë, Allahu i Madhëruar bëri të triumfojë qartë e vërteta e Tij, duke shfaqur shenja dhe mrekulli, që tregonin se Shpallja që Muhamedi (a.s)e solli nga Zoti i tij ishte e vërteta e sigurt, për të cilën nuk ka asnjë dyshim. Në këtë mënyrë, kuptimi ajetit është: Nëse vërtet e besoni Allahun dhe Shpalljen që Ai ia dhuroi Profetit të Tij të dashur, atëherë një të pestën e pasurisë së fituar në atë luftë, - ku Zoti ngriti të vërtetën, shkatërroi të kotën dhe shfaqi mrekulli, - ju duhet t’i shpenzoni ashtu siç kërkon Allahu dhe Profeti i Tij.Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka. -
Çdokush që kundërshton Allahun, duke dalë kundër urdhrit të Tij, ka për t’u mposhtur nga Allahu i Madhëruar. Më tej jepen hollësi të tjera të kësaj beteje historike:Dispozitat për plaçkën e luftës. Kur fitonte luftën kundër armikut, ai urdhëronte dikë që të mblidhte komplet plaçkën e luftës. Ndarjen e plaçkës e fillonte me atë që quhet eslab,(Eslab quhet plaçka, pajimet, armët dhe kafsha e të vrarit nga radhët e ushtarëve jomusliamnë, të cilat i takojnë ushtarit musliman që e ka vrarë.) duke ua shpërndarë atyre që u takonte. Pastaj një të pestën e plaçkës së luftës që mbetej, e hiqte mënjanë për ta shpenzuar atje ku ishte më e nevojshme, në dobi të Islamit. Ndërsa pjesën e mbetur, pasi u jepte ndonjë dhuratë të vogël atyre që nuk kishin pjesë të përcaktuar në plaçkën e luftës, si fëmijët, gratë dhe skllevërit, e shpërndante në mënyrë të barabartë mes ushtarëve. Sipas rregullit, kalorësit i takonin tri pjesë, një pjesë për veten dhe dy pjesë për kalin, ndërsa këmbësorit një pjesë. Kjo është tradita e tij e transmetuar saktë dhe me siguri, në shpërndarjen e plaçkës së luftës. Ndonjëherë, për merita të veçanta dhe sipas asaj që e shikonte me interes, Profeti a.s. i jepte ndonjë luftëtari diçka nga tërësia e plaçkës së luftës (para shpërndarjes së saj sipas rregullit), përveç pjesës që i takonte nga plaçka e luftës, dhe ky shpërblim quhej nefel. Thuhet që këto shpërblime Profeti a.s. i nxirrte prej një të pestës të sipërpërmendur, (që i takon Allahut dhe Profetit a.s), por thuhet që ky është një mendim i dobët për t’u pranuar. Disa thonë se kjo nxirrej prej një të pestës së një të pestës. Në një betejë Profeti a.s. i dha Seleme Ibn Ekua’ katër pjesë, pra, sa pjesët e një këmbësori dhe një kalorësi të marra së bashku. Kjo ndodhi për shkak të kontributit të madhqë ai dha në atë luftë. Profeti a.s. ishte i kujdesshëm që të tregohej i drejtë në ndarjen e plaçkës, pa bërë dallim mes të dobtëve dhe të fortëve. Dallimet mund të bëheshin vetëm në shpërndarjen e nefel-it, që përmendëm më sipër. Profeti a.s., kur niste një luftë me një popull, dërgonte fillimisht një skuadër luftëtarësh. Nëse ata fitonin ndonjë plaçkë lufte, një të pestën e hiqte mënjanë dhe nga pjesa e mbetur një çerek ua jepte atyre në formë nefeli, dhe pjesën tjetër e ndante në mënyrë të barabartë mes gjithë ushtrisë (mes të cilëve edhe skuadra). Ndërsa kur dërgonte ndonjë skuadër gjatë kthimit nga lufta, u jepte atyre një të tretën në formë nefel. Megjithatë, Profeti a.s. nuk e parapëlqente dhënien në formë nefeli, (e cila zakonisht u dhurohej të fortëve dhe aktivëve) dhe shpesh thoshte: “Besimtarët e fortë le t’u japin besimtarëve të dobët!”Një pjesë e pasurisë së fituar në luftë, që quhej el safij, ishte e posaçëruar vetëm për Profetin a.s. Profeti a.s. e përcaktonte dhe e zgjidhte atë përpara se të hiqej mënjanë një e pesta e plaçkës. Ai mund të zgjidhte çfarë të dëshironte: një skllav a skllave, ose një kalë apo diçka tjetër. Thotë Aishja: “Safija (gruaja e Profetit a.s.) ishte e përzgjedhur prej të ashtuquajturës safij”, siç e ka sjellë Ebu Daudi këtë hadith. Transmetohet gjithashtu se në mesazhin që Profeti a.s. i dërgoi fisit Benu Zehir Ibn Ukajshi, thuhet: “Nëse ju dëshmoni se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut të Madhëruar dhe se Muhamedi është Profet i Allahut, e falni namazin, e jepni zekatin, jepni një të pestën e plaçkës së luftës që fitoni, dorëzoni prej kësaj plaçke lufte pjesën e Profetit a.s. dhe atë që quhet el safij, atëherë ju do të jeni të sigurt, nën mbrojtjen dhe sigurinë e dhënë prej Allahut dhe Profetit a.s.” Edhe shpata e Profetit a.s., me disa vjaska të bukura, ishte prej el safij-it. Profeti a.s. ruante pjesë edhe për ndonjë që nuk kishte qenë i pranishëm në betejë për shkak të angazhimit të tij në shërbim të muslimanëve. Kështu veproi Profetit a.s. me Othmanin, i cili nuk mori pjesë në Bedër, sepse ishte duke i shërbyer bashkëshortes së tij të sëmurë, vajzës së Profetit a.s., Rukijes. Profeti a.s. ndau një pjesë për Othmanin dhe tha: “Othmani u angazhua për hir të Allahut dhe u mor me nevojat e Profetit a.s.”Sahabët blinin dhe shisnin gjatë këtyre luftrave në prani të Profetit a.s. Ai i shihte ata dhe nuk i ndalonte nga tregtia që bënin. Madje njëburrë i është drejtuar Profetit a.s. dhe i ka thënë: “Sot kam fituar aq shumë, sa askush ndonjëherë.” I tha Profeti a.s.: “E çfarë ke fituar?” Ai u përgjigjur: “Bleva e shita, derisa bëra një fitim prej treqind ukije-sh.” Atëherë Profetit a.s, mësuesi i vërtetë, i ka thënë: “A të të tregoj unë se cili është ai që ka marrë fitimet më të mira?” – “Kush është ai o i dërguar i Allahut?” – “Ai që ka falur dy rekatë nafile pas namazit farz.” Gjatë luftrave ata merrnin me qera edhe shërbëtorë për t’u shërbyer e ndihmuar gjatë udhëtimeve. Kjo lloj qeraje e praktikuar ishte dy llojesh: a) të dilje vetë në luftë dhe pajtoje me qera dikë që të shërbente gjatë udhëtimit; b) të paguaje dikë tjetër që të dilte dhe të luftonte në xhihad. Këta quheshin xheail. Profeti a.s., për të tilla bashkëpunime, ka thënë: “Luftëtarit i takon shpërblimi i vet (i luftës), ndërsa shpenzuesit shpërblimi i vet (si shpenzues) dhe shpërblimi i luftëtarit.” Ata praktikonin edhe dy lloje kontratash ortakërie në ndarjen e plaçkës së luftës me njëri tjetrin: a) ortakërinë e plotë (sheriketul ebdan), dhe b) ortakëri me hua, e cila zhvillohet në këtë mënyrë: I jep një luftëtari devenë ose kalin tënd për të luftuar, me kusht që plaçka e luftës e fituar të ndahet barabar mes jush. Atyre ndoshta u binte të ndanin edhe një shigjetë të vetme, e njëri merrte pendën dhe majën, ndërsa tjetri merrte shkopin e shigjetës. Ndërsa Ibn Mesudi tregon: “Betejën e Bedrit, unë Amari dhe Sa’di u bëmë ortakë për gjithçka që do të fitonim në atë luftë (ortakëri e plotë). Sa’di mundi të kapë dy robër, ndërsa unë dhe Amari nuk mundëm të sjellim gjë.” Skuadrat luftarake, Profeti a.s. i dërgonte herë me kalorës dhe herë të tjera me këmbësorë. Profeti a.s., pasi mbaronte betejën, nuk u jepte pjesë nga plaçka e luftës skuadrave apo asaj pjese të ushtrisë që ishin dërguar për ndihmë dhe përforcime në fushëbetejë, por që kishin mbërritur në destinacion pasi lufta kishte përfunduar.Pjesa e farefisnisë së Profetit a.s.
Ndërsa, pjesën e farefisnisë Profeti a.s. ia jepte vetëm Benu Hashimëve dhe Benu Mutalibëve. Në këtë pjesë nuk bënin pjesë vëllezërit e këtyre dy fiseve, Benu Abdul Shems dhe Benu Neufel. Profeti a.s. ka thënë: “Pa dyshim, Benu Mutalibët dhe Benu Hashimët janë një të vetëm”, dhe kryqëzoi gishtat e tij. Pastaj vazhdoi: “Ata nuk janë ndarë as në epokën e xhahilijetit, as në epokën e Islamit.”Ushqimet në plaçkën e luftës.
Në kohën e Profetit a.s., muslimanët, nëse fitonin ushqime si plaçkë lufte, si për shembull mjaltë, rrush e të tjera, i hanin ato, pa qenë e nevojshme që fillimisht t’i grumbullonin në pasurinë e luftës të fituar. Kështu, Umer Ibn Hatabi tregon: “Në kohën e Profetit a.s., një ushtri fitoi si plaçkë lufte ushqim dhe mjaltë, dhe prej tyre nuk u veçua një e pesta.” Këtë hadith e ka sjellë Ebu Daudi. Pas betejës së Hajberit, Abdulla Ibn Mugafeli nxori veç një enë me dhjamë dhe tha: “S’kam për t’i dhënë askujt nga kjo enë me dhjamë.” Profeti a.s. e dëgjoi, buzëqeshi e nuk i tha gjë. Është pyetur Ibn Ebu Eufa: “A e veçonit një të pestën e ushqimeve të fituara në luftë gjatë kohës së Profetit?” Ai është përgjigjur: “Në Hajber fituam ushqim të bollshëm; gjithësecili shkonte e merrte aq sa i duhej dhe largohej.”Dikush nga sahabët thoshte: “Në beteja ne hanim arra pa i ndarë dhe, kur ktheheshim në banesat tona, trastat tona i kishim plot me arra.” Shkëputur nga “Zadul mead” 3