...do të betohen se nuk kanë pasur tjetër qëllim, veç së mirës. Por Allahu dëshmon se ata janë mashtrues. -
Ata shfajësoheshin se me ndërtimin e asaj xhamie synonin veçse të bënin mirë, të ndihmonim të varfrit, të pafuqishmit e të verbërit. Por Allahu dëshmon se ata ishin gënjeshtarë. Pa dyshim, dëshmia e Allahut për ta është më e madhe sesa betimet e pretendimet e tyre.Rrugës drejt Tebukut, Profeti a.s. arriti në një vend të quajtur Dhi Euan, i cili ndodhet një orë larg Medinës. Atje, një grup munafikësh që kishin ndërtuar këtë "xhami sherri", shkojnë te Profeti a.s., i cili po përgatitej për t’u nisur në udhëtim, dhe i thonë: “O i Dërguari i Allahut! Ne kemi ndërtuar një xhami për të sëmurët, nevojtarët dhe si strehë për t’u falur në netët e ftohta me shi, prandaj dëshirojmë që të vish dhe të falesh atje.” Profeti a.s. u tha: “Jam i zënë tani, jam gati për rrugë. Kur të kthehemi, në dashtë Allahu, do të vijmë dhe do të falemi.” Profeti a.s. ishte ende në Dhi Euane, kur i shpallet e vërteta nga qielli rreth kësaj xhamie. Atëherë Profeti a.s. thërret Malik Ibn Duhshumin, që i përkiste fisit Benu Seleme Ibn Aufit, dhe Mean Ibn Adij el Axhlanin, dhe u thotë: “Shkoni tek ajo xhami, e ndërtuar nga njerëz të këqij! Shembeni dhe digjeni atë!” Ata u nisën vrik, derisa mbërritën te fisi i Salim Ibn Aufit, dhe pikërisht te familja e Malik Ibn Duhshumit. Maliku i tha Meanit: “Më prit deri sa të marr një zjarr nga shtëpia ime!” Ai hyri në shtëpinë e vet, mori një degë palme dhe e ndezi flakë. Pastaj të dy shkuan në atë xhami, e shembën dhe e dogjën. Ata që ndodheshin brenda saj, dolën jashtë dhe u shpërndanë. Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “(Hipokritë) janë edhe ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar kufrin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, vërtet ata betohen: “Ne kishim për qëllim që të bënim vetëm një vepër të mirë”! Por Allahu dëshmon se në tëvërtetë ata janë gënjeshtarë.” (Teube 107). Ibn Ishaku thotë: “Këtë xhami e ndërtuan 12 burra, mes të cilëve edhe Ebu Thalebe Ibn Hatibi.” Ndërsa Othman Ibn Seid el Darimi thotë: “Na ka treguar Abdullah Ibn Salih, e këtij Muavije Ibn Salihi, ky prej Ali Ibn Ebu Talhas, e ky prej Ibn Abasit, që rreth ajetit të mësipërm, ka thënë: “Ishin disa ensarë që ndërtuan një xhami. Ebu Amir el Fasiku u dërgonte atyre mesazhe dhe thoshte: “Ndërtojeni xhaminë tuaj dhe përgatisni armët e forcat sa të mundeni, se unë do të shkoj te mbreti i romakëve dhe pastaj do të vij me një ushtri të madhe, për ta nxjerrë Muhamedin dhe shokët e tij jashtë Medinës.” Pasi ndërtuan xhaminë, ata shkuan te Profeti a.s. dhe i thanë: “Ne e mbaruam ndërtimin e xhamisë, dhe tani dëshirojmë që të vish të falesh atje e të lutesh për begati.” Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli ajetet: “Ti mos u fal kurrë aty! Është më e drejtë të falesh në atë xhami, themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut. Aty ka burra që dëshirojnë të dëlirësohen. Allahu i do ata që dëlirësohen. Atëherë cili është më i mirë - ai që e ngre ndërtesën për devotshmëri dhe për Kënaqësi të Allahut, apo ai që ngre një ndërtesë rrëzë një shkëmbi ranor që është gati të thepiset, e bashkë me të bie në zjarrin e Xhehenemit? Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë. Ndërtesa që kanë ndërtuar ata do të vazhdojë të sjellë (dyshime e) pasiguri në zemrat e tyre, derisa ato t’u coptohen. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” (Teube 108 -110). Zadul Mead vëll