Ata do të kenë dënim të dhembshëm. -
Ata bënë disa poshtërsi me fjalët e tyre. Së pari, vetë tallja është një vepër e shëmtuar dhe e dënueshme, aq më tepër kur u bëhet besimtarëve. Ajo është gjynah i madh edhe thjesht kur ka lidhje me çështjet e kësaj bote. Prandaj, kur ka të bëjë me çështjet e fesë dhe të besimit, ajo është edhe më e rëndë dhe e rrezikshme. Ai që i bindet Allahut dhe përpiqet për vepra të mira, është detyrë të ndihmohet, mbështetet dhe të nxitet për ta vazhduar rrugën e tij. Por munafikët, me fjalët e tyre, synojnë pikërisht të kundërtën: ata duan t’i pengojnë besimtarët që bëjnë vepra të mira. Po ashtu, tallja me ata që dhanë shumë pasuri si sadaka, se ishin mburravecë dhe pa nijet të pastër, ishte një paragjykim i ulët, një shpifje e pabazë dhe pa dije. A ka poshtërsi më të ulët sesa të akuzosh dikë pa fakte?! Për ata që dhanë pak pasuri, munafikët thanë se Allahu nuk kishte nevojë për sadakatë e tyre. Kjo u tha me qëllim të ulët dhe të padrejtë. Është e vërtetë që Allahu i Lartësuar nuk ka nevojë për sadakatë e njerëzve, të shumta apo të pakta qofshin ato, por qëllimi i munafikëve ishte gjetkë: ai kishte ligësi brenda. Është vetë Allahu i Madhëruar dhe i Pasur që i urdhëroi robërit për diçka që ata kanë shumë nevojë: sadaka dhe vepra të mira. "Kush ka bërë ndonjë të mire, që peshon sa grimca, atë do të shohë. Dhe kush ka bërë ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do të shohë." [Zelzele 7-8]. Fjalët e munafikëve ishin plot ligësi dhe synonin të pengonin njerëzit nga punët e mira, prandaj i Madhëruari i poshtëron ata, madje ka përgatitur dënim të dhembshëm: