Dhe Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqpërdorte ata Faraoni dhe paria e tij, e Faraoni – me të vërtetë, ishte zullumqar në Tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi. Junus 10:83 ⧉
Tefsiri:
Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, prej frikës nga Faraoni dhe nga rrethi i tij, se mos i përndiqnin. Vërtet, Faraoni ishte kryeneç në Tokë dhe ishte nga ata që kaluan çdo kufi(në tirani e padrejtësi). - Vetëm një grup të rinjsh nga mesi i bijve të Israelit i besuan Musait. Imani kishte zënë vend në zemrat e tyre dhe ai i bëri të qëndrueshëm, me gjithë frikën e madhe nga përndjekja e Faraonit. Faraoni ishte diktator dhe tiran. Padrejtësitë dhe përndjekja që ai ushtronte ishin të ashpra, prandaj ishte normale që njerëzit të kishin frikë prej ndëshkimit të tij. I Madhëruari e përshkruan atë si ‘musrifin’, pra, nga ata që kalojnë çdo kufi në padrejtësi, tirani e egërsi. Ka një urtësi në faktin se Musain e besuan vetëm një grup të rinjsh. Të rinjtë janë më të prirur dhe me të shpejtë në përqafimin e të vërtetës, ndryshe nga të vjetrit, që janë rritur dhe brumosur me mosbesim, idhujtari, gjynahe e padrejtësi. Shkak për refuzimin është besimi i shtrembëruar dhe sëmundjet që u kanë zaptuar zemrat për një kohë të gjatë. Ato janë më larg të vërtetës sesa zemrat e të rinjve, që ende janë të pastra e të papërlyera.